Lulzim Basha është paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), ku ka dhënë deklarimet e tij në lidhje me ngjarjen tragjike të 21 janarit 2011, ku humbën jetën katër protestues para Kryeministrisë. Ish-kreu i Partisë Demokratike është thirrur në cilësinë e deklaruesit, më shumë se një vit pas nisjes së hetimeve të reja për këtë dosje.
Sipas burimeve të Top Channel, familja e Aleks Nikës – një prej viktimave të asaj dite – ka përfshirë Bashën në listën e personave të kallëzuar.
Gazetarja Anila Hoxha, në emisionin “Top Story”, ka zbuluar detaje nga dëshmia e ish-ministrit të Brendshëm të asaj kohe.
“Lulzim Basha ka pohuar se nuk ka dhënë asnjë urdhër dhe se ka zbatuar vetëm detyrën. Kjo është ajo që më është konfirmuar jozyrtarisht, dhe pritet ta verifikoj sërish,” – tha Hoxha.
Ajo shtoi se sipas burimeve të saj, SPAK pritet të thërrasë edhe ish-kryeministrin Sali Berisha për të dhënë deklarime në lidhje me ngjarjen.
“Më është thënë se së shpejti, pa një datë të konfirmuar ende, mund të thirret edhe Sali Berisha,” – sqaroi gazetarja.
Në seancë ka qenë i pranishëm edhe ish-sekretari i përgjithshëm i Kryeministrisë, i cili është pyetur për sistemin e kamerave të sigurisë në godinë. Sipas deklaratës së tij, ai ka vepruar “në përputhje me detyrat e ngarkuara, si gjithë zyrtarët e tjerë të asaj kohe”.
Ky zhvillim vjen në një moment ku SPAK ka intensifikuar hetimet për zbardhjen e plotë të zinxhirit të urdhrave dhe përgjegjësive institucionale për tragjedinë e 21 janarit, një nga ngjarjet më të rënda politike në historinë e pluralizmit shqiptar.


