Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan–Korçë), në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, ka zbuluar një rast të rëndë abuzimi ku tre punonjës policie dyshohen se kishin kthyer një lokal në pikë të paligjshme bastesh sportive.
Pas hetimeve disa mujore me metoda speciale, AMP ekzekutoi masat e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalim daljeje jashtë shtetit” ndaj tre efektivëve, të akuzuar për “Organizim ose ushtrim të veprimtarive të lojërave të fatit”, “Vënie në dispozicion të ambienteve për lojëra të palejuara” dhe “Shpërdorim detyre”, sipas neneve 197, 198 dhe 248 të Kodit Penal.
Në pranga ligjore ranë:
Inspektor H.D., ish-oficer patrulle në Komisariatin Elbasan, aktualisht në shërbim në Njësinë e Sigurisë Gjadër;
Inspektor G.D., ish-oficer patrulle në Elbasan, sot në detyrë në Komisariatin Kukës;
Inspektor E.SH., pjesë e shërbimit të Trafikut Interurban pranë DVP Elbasan.
Sipas hetimeve, tre efektivët, në bashkëpunim me shtetasin F.D. (i arrestuar më 23 mars 2025), kishin vënë në dispozicion lokalin e tyre për zhvillimin e aktiviteteve të paligjshme të basteve sportive.
Ndërkohë, E.SH. dyshohet se ka ndërhyrë në mënyrë të paautorizuar në sistemin elektronik “E-GJOBA”, për të kërkuar të dhëna të mjeteve në shërbim të personave të tretë — një shkelje e rëndë e detyrës dhe abuzim me aksesin policor.


