Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë të mërkurën, duke dënuar fuqishëm polarizimin politik dhe shtypjen shtetërore në Serbi, një vit pas aksidentit tragjik në Novi Sad, ku 16 persona humbën jetën në shembjen e një strehë të stacionit hekurudhor.
Rezoluta konsiderohet më e ashpra ndonjëherë e miratuar nga Parlamenti Evropian për Serbinë. Eurodeputetët kërkojnë procedura ligjore transparente dhe gjithëpërfshirëse për të sjellë para drejtësisë përgjegjësit, si dhe reforma demokratike dhe llogaridhënie nga udhëheqja serbe.
Në dokument theksohet shqetësimi për klimën e tensionuar dhe polarizuese, të nxitur nga gjuha e urrejtjes, propaganda pro-ruse dhe anti-BE, si dhe fushatat e shpifjes të përhapura nga mediat e kontrolluara nga qeveria.
Eurodeputetët kanë denoncuar gjithashtu taktikat e paligjshme të mbikëqyrjes, përfshirë përdorimin e spyware-it Pegasus, pajisjeve akustike me rreze të gjatë veprimi dhe gazit lotsjellës kundër civilëve.
Rezoluta gjithashtu vë në dukje se zgjedhjet e mëparshme në Serbi janë mbajtur në kushte të padrejta, me presion mbi votuesit dhe blerje të votave. Rezoluta u miratua me 457 vota pro, 103 kundër dhe 72 abstenime.


