Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Peruxhias dhe komunitetin shqiptar në Itali. Hekuran Cumani, 23-vjeç, shqiptar që jetonte në Fabriano (Ancona), u vra me thikë të shtunën në mëngjes në një parking pranë Universitetit të Peruxhias.
Sipas hetimeve paraprake, vrasja është klasifikuar si me dashje, si pasojë e një grindjeje për arsye që cilësohen si “të parëndësishme”. Viktima u godit në fyt dhe gjoks, plagë që rezultuan fatale, ndërsa shërbimet e emergjencës nuk mundën të bëjnë asgjë për ta shpëtuar.
Ngjarja ndodhi pas një mbrëmjeje me shokët e tij. Sherri verbal përshkallëzohet jashtë lokalit “110 Caffè”, pranë Departamentit të Matematikës dhe Shkencave Kompjuterike, dhe një person ende i paidentifikuar e goditi me thikë, duke i marrë jetën.
Miqtë e Hekuranit e përshkruajnë si të qetë, të dashur dhe pasionant pas palestrës dhe jetës së shëndetshme. “Ai e donte trupin e tij, i pëlqente palestra dhe fitnesi. Ishte një mik i mirë, i dashur me familjen dhe kafshët,” tha një mik për mediat lokale.
Policia po analizon kamerat e sigurisë dhe po merr në pyetje të gjithë personat e pranishëm për të identifikuar autorin.
Ngjarja ka prekur thellë edhe autoritetet lokale. Kryetari i bashkisë së Peruxhias dhe Këshilli Komunal shprehën dhimbjen e tyre: “Lajmi na ka tronditur të gjithëve. Qyteti qëndron pranë familjes dhe miqve të tij, që po përjetojnë një dhimbje të padurueshme. Është e vështirë të pranohet që një jetë kaq e re të ndërpritet në këtë mënyrë.”
Hetimet vazhdojnë për të identifikuar autorin dhe për të sqaruar të gjitha rrethanat e ngjarjes.


