Mbreti i Britanisë së Madhe, Charles III, së bashku me Mbretëreshën Camilla, do të zhvillojnë javën e ardhshme një vizitë shtetërore historike në Vatikan, ku do të takohen për herë të parë me Papën Leone XIV, njoftoi Pallati Buckingham.
“Sovranët do të zhvillojnë një vizitë shtetërore në Selinë e Shenjtë nga data 22 deri më 23 tetor 2025. Kjo vizitë do të shënojë takimin e tyre të parë me Papën Leone XIV që nga zgjedhja e tij në maj 2025”, thuhet në deklaratën e pallatit.
Vizita vjen rreth gjashtë muaj pas takimit të çiftit mbretëror me Papën Françesku, pak para ndarjes së tij nga jeta, gjatë një vizite private.
Papa Leone, 70 vjeç, me një përvojë të gjatë misionare në Peru, është papa i parë amerikan në histori, i zgjedhur më 8 maj në konklavën e kardinajve.
Gjatë qëndrimit të tyre dyditor, të mërkurën dhe të enjten e ardhshme, Charles dhe Camilla do t’i bashkohen Papës Leone në festimet e Vitit të Shenjtë Jubilar, që mbahet çdo 25 vjet.
Programi i vizitës përfshin një shërbesë në Kapelën Sixtine, ku do të reflektohet mbi angazhimin e përbashkët të Papës dhe Mbretit për mbrojtjen e natyrës dhe kujdesin ndaj mjedisit.
Gjatë vizitës, Mbreti Charles do të vizitojë një seminar që përgatit priftërinj nga vendet e Commonwealth-it, ndërsa Mbretëresha Camilla do të takohet me murgesha katolike të një organizate që punon për arsimimin e vajzave dhe lufton dhunën seksuale, trafikun e qenieve njerëzore dhe mungesën e kujdesit shëndetësor.
Kjo vizitë, sipas Pallatit Buckingham, do të përfaqësojë “një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet mes Kishës Katolike dhe asaj të Anglisë”, duke theksuar bashkëpunimin ekumenik dhe temën e Vitit Jubilar — “të ecim së bashku si pelegrinë të shpresës.”


