Kreu i SPAK, Altin Dumani, në raportimin e tij para Komisionit të Ligjeve, ngriti alarmin për shtrirjen e grupeve kriminale shqiptare në disa shtete evropiane, mes tyre Itali, Spanjë, Holandë, Belgjikë, Francë, Gjermani, Norvegji, Zvicër dhe Britani e Madhe. Ai theksoi se këto grupe janë të përfshira kryesisht në trafikimin e kokainës dhe kanabisit, duke e siguruar lëndën narkotike nga vende të Amerikës Latine si Kolumbia, Ekuadori, Meksika, Bolivia dhe Paraguai.
Sipas Dumanit, gjatë vitit 2024 janë identifikuar 16 grupe kriminale me rrezikshmëri të lartë, nga të cilat 10 janë dërguar në gjykatë. Grupet karakterizohen nga organizim hierarkik, përdorimi i komunikimeve të kriptuara dhe pastrimi i parave përmes skemave të sofistikuara, përfshirë kriptovalutat.
Përveç trafikut të drogës, ato janë të përfshira edhe në trafikim njerëzor dhe krim kibernetik, ndërsa veprojnë në qytete të ndryshme të vendit si Tirana, Durrësi, Shkodra, Elbasani dhe Vlora. Dumani e cilësoi këtë fenomen si një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare dhe integritetin ekonomik të vendit.


