Mijëra palestinezë të zhvendosur janë nisur sot në këmbë për t’u rikthyer në rrënojat e shtëpive të tyre në Rripin e Gazës, pasi një armëpushim i shumëpritur hyri në fuqi dhe trupat izraelite nisën tërheqjen graduale sipas fazës së parë të marrëveshjes për t’i dhënë fund luftës dyvjeçare.
Kolona të gjata njerëzish lëvizën përgjatë rrugës bregdetare në drejtim të Qytetit të Gazës, zona urbane më e madhe e enklavës, e cila ishte goditur rëndë vetëm pak ditë më parë në ofensivën e fundit izraelite.
“Falë Zotit, shtëpia ime është ende në këmbë, por gjithçka përreth është shkatërruar,” tha 40-vjeçari Ismail Zayda nga lagjja Sheikh Radwan.
Në jug, banorët kalonin në heshtje mes rrënojave të Khan Younis, dikur qyteti i dytë më i madh i Gazës, i rrafshuar pothuajse plotësisht. Ahmed al-Brim, një burrë në të pesëdhjetat, po shtynte një biçikletë me copa druri të mbetura — e vetmja gjë që kishte mundur të shpëtonte nga shtëpia e tij e shkatërruar.
Autoritetet palestineze njoftuan se ekipet mjekësore kanë gjetur trupat e të paktën 100 viktimave pas tërheqjes së ushtrisë izraelite.
Megjithëse armëpushimi ka sjellë shpresë, mbetet e paqartë nëse marrëveshja e re dhe plani 20-pikësh i presidentit amerikan Donald Trump do të çojnë drejt një paqje të qëndrueshme.
Sipas marrëveshjes, trupat izraelite kanë 24 orë kohë për t’u tërhequr nga zonat urbane, ndërsa Izraeli do të mbajë nën kontroll më shumë se gjysmën e territorit të Gazës.
Në një deklaratë televizive, kryeministri Benjamin Netanyahu tha se Hamasi duhet të çarmohet “në rrugën e lehtë ose në rrugën e vështirë”, ndërsa paralajmëroi se trupat izraelite do të qëndrojnë në Gaza për të garantuar sigurinë.
Ndërkohë, Hamasi ka refuzuar çdo ide për administratë të huaj të Gazës, duke theksuar se “qeverisja është çështje e brendshme palestineze”.
Në ditët në vijim pritet vizita e presidentit Trump në Lindjen e Mesme, ku ai do të mbajë një fjalim historik në Knesset dhe pritet të thërrasë një samit ndërkombëtar për paqen në Egjipt.
Pas tërheqjes së trupave, Hamasi ka 72 orë kohë për të liruar 20 pengjet izraelite që mban ende në kontroll.


