Një incident i rëndë është shënuar mesditën e sotme në ambientet e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Vlorë, ku avokati Redi Llanaj ka ushtruar dhunë ndaj një punonjësi sigurie.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, 42-vjeçari R. Ll., me profesion avokat dhe banues në Vlorë, është arrestuar në flagrancë për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”.
Ngjarja ndodhi rreth orës 12:30 të ditës së sotme, kur gjatë një konflikti verbal në ambientet e gjykatës, avokati dyshohet se ka goditur me grusht në fytyrë punonjësin e sigurisë, shtetasin F. M., 60 vjeç, i cili ka pësuar dëmtime të lehta.
Policia bën me dije se materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme ligjore.


