Dhoma Kombëtare e Avokatisë së Shqipërisë ka reaguar pas incidentit të ndodhur ditën e sotme në ambientet e Gjykatës së Vlorës, ku avokati Redi Llanaj është përfshirë në një akt dhune ndaj një punonjësi sigurie.
Në reagimin zyrtar, institucioni i avokatëve dënon me forcë ngjarjen, duke e cilësuar “të papërshtatshme dhe të pahijshme për figurën e avokatit”, ndërsa nënvizon se do të merren të gjitha masat disiplinore dhe institucionale për trajtimin e rastit.
“Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë dënon incidentin e dhunës në të cilin është përfshirë avokati Redi Llanaj, anëtar i Dhomës së Avokatise, Vlorë. Distancohemi nga kjo ngjarje duke e vlerësuar atë të papërshtatshme për figurën e avokatit”, thuhet në deklaratë.
Dhoma shpreh gjithashtu keqardhje që episodi ndodhi pikërisht në ditën e bojkotit të shpallur nga avokatët në të gjithë vendin, një nismë e ndërmarrë për të protestuar ndaj rasteve të dhunës ndaj funksionarëve të drejtësisë, pas ngjarjes tragjike të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja.
Dhoma Kombëtare e Avokatisë thekson se po ndjek me shqetësim rastin dhe inkurajon institucionet përgjegjëse të kryejnë hetimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të incidentit.


