Prokuroria e Tiranës ka ngritur tre akuza të rënda penale ndaj Elvis Shkambit, autorit të dyshuar të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja dhe plagosjes së dy personave të tjerë në ambientet e Gjykatës së Apelit më 6 tetor 2025. Për ngjarjen janë proceduar penalisht edhe xhaxhai i autorit dhe punonjësi i sigurisë së gjykatës, të cilët ndodheshin në vendin e ngjarjes.
Sipas Prokurorisë, ndaj Elvis Shkambit rëndojnë akuzat për:
“Vrasje e funksionarëve publikë” (neni 79/a i Kodit Penal);
“Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, kryer në bashkëpunim dhe mbetur në tentativë, në dëm të dy palëve ndërgjyqëse;
“Mbajtje pa leje e armëve të zjarrit”.
Si ndodhi atentati në sallën e gjyqit
Ngjarja e rëndë ndodhi më 6 tetor, rreth orës 15:35, në sallën e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, gjatë një seance me objekt “Kundërshtimin e veprimeve përmbarimore”. Pas shpalljes së vendimit nga gjyqtari Kalaja, Elvis Shkambi ka nxjerrë armën nga brezi dhe ka qëlluar disa herë drejt tij, duke e plagosur për vdekje. Më pas, ai ka qëlluar edhe në drejtim të dy palëve ndërgjyqëse, R.K. dhe E.K., të cilët mbetën të plagosur, por jashtë rrezikut për jetën.
Autori i dyshuar është neutralizuar pak minuta më pas në oborrin e gjykatës nga shërbimet e Policisë së Komisariatit nr.1.
Pamjet filmike zbulojnë neglizhencën në kontroll
Nga këqyrja e pamjeve të sigurisë rezulton se Elvis Shkambi dhe xhaxhai i tij, Gjon Shkambi, kanë kaluar në hyrje të gjykatës përmes skanerit, ku janë ndezur dritat e kuqe që sinjalizojnë prezencë metalesh. Megjithatë, punonjësi i sigurisë B.K. ka qëndruar i ulur në karrige dhe nuk ka kryer kontroll fizik apo regjistrim në protokoll, duke i lejuar të kalojnë pa verifikim.
Kjo sjellje ka çuar në hapjen e procedimit penal ndaj tij për “Shpërdorim detyre”, pasi neglizhenca e drejtpërdrejtë mundësoi futjen e armës në sallën e gjyqit.
Dyshime për bashkëpunim dhe nxitje të krimit
Gjon Shkambi akuzohet se ka pasur dijeni për planin e nipit dhe ka luajtur rol shtytës në atentatin ndaj palëve ndërgjyqëse. Dyshimet mbështeten në sjelljen e tij gjatë ngjarjes, kërcënime të mëparshme publike, si dhe kallëzime të dokumentuara për kanosje me jetë ndaj viktimave.
Elvis Shkambi, Gjon Shkambi dhe B.K. janë arrestuar në flagrancë. Prokuroria e Tiranës i ka kërkuar Gjykatës së Shkallës së Parë vleftësimin e arrestimit dhe caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për të tre të dyshuarit.


