Administrata Doganore Shqiptare ka intensifikuar kontrollet në të gjitha pikat doganore të vendit, duke zbuluar dhe sekuestruar një sasi të madhe mallrash të dyshuara si të falsifikuara me marka ndërkombëtare prestigjioze.
Gjatë ditëve të fundit janë bllokuar rreth 1,500 bluza sportive dhe mbi 900 artikuj veshjesh e komplete sportive të markave të njohura si Philipp Plein, Nike, Adidas, Zara, Massimo Dutti e të tjera.
Po ashtu, janë sekuestruar edhe sasi të konsiderueshme parfumesh që mbanin emrat e markave të njohura Dior, Gucci, Armani, duke ngritur alarmin për rritjen e tregtisë së mallrave të falsifikuara.
Të gjitha produktet janë depozituar përkohësisht në magazinat doganore, ndërsa po kryhen verifikime për shkelje të të drejtave të pronësisë intelektuale (IPR).
Në njoftimin zyrtar, Administrata Doganore thekson vendosmërinë për të vijuar aksionet kundër falsifikimeve, me qëllim mbrojtjen e tregtisë së ndershme, bizneseve të ligjshme dhe konsumatorëve shqiptarë.

















