Rreth 60 familje dhe mbi 20 biznese që jetojnë dhe operojnë në një pallat në lagjen “Apolonia” të Fierit kanë dalë sot në protestë para zyrave të Kadastrës, për të kërkuar zgjidhje për një problem të pazgjidhur prej më shumë se dy dekadash: mungesën e certifikatave të pronësisë për banesat dhe ambientet ku jetojnë.
Banorët, të cilët janë sistemuar në pallatin 12-katësh që në fillim të viteve 2000, shprehen se ndërtesa nuk ka asnjë pengesë ligjore apo mbivendosje pronash që të justifikojë vonesën. Sipas tyre, është e papranueshme që pas kaq shumë vitesh të mos kenë ende dokumentet e pronësisë në dorë.
Edhe ndërtuesi i objektit, Njazi Vrenozi, pohon se nga nëntë pallatet që ka ngritur në Fier, ky është i vetmi për të cilin banorët nuk janë pajisur ende me certifikata. Ai shpjegon se problemi ka lindur për shkak të një mospërputhjeje në metrat e deklaruara nga ish-pronarët, çështje që, sipas tij, është sqaruar tashmë.
Nga ana tjetër, drejtori i Kadastrës së Fierit, Evarist Kazheli, tha për mediat se dosja do të trajtohet me prioritet, me qëllim gjetjen sa më të shpejtë të një zgjidhjeje për banorët.


