Aktori i njohur dhe aktivisti Florian Binaj ka reaguar pas deklaratës së Partisë Demokratike, e cila shpalli mbështetjen për kandidimin e tij si kandidat i pavarur për kryetar të Bashkisë Tiranë, në garë me socialistët e Ogerta Manastirliut.
Binaj falënderon për mbështetjen Partinë Demokratike, Shqipëria Bëhet dhe Nisma Thurje, duke theksuar se mbetet i hapur për çdo mbështetje tjetër nga forcat opozitare. Ai i drejtohet qytetarëve duke thënë se gara është për ta: “Unë nuk jam politikan, jam qytetar dhe partia ime jeni JU!”
Aktori nënvizon se deri më sot ka luftuar padrejtësinë dhe të keqen me humor dhe art, ndërsa tani fton qytetarët ta luftojnë të njëjtën padrejtësi me votë. “Të dënojmë ata që na vodhën dhe bënë humor me ne! Ju ftoj të bëjmë bashkë mendjet dhe zemrat kundër pushtetit që po dhunon jetët dhe të ardhmen e fëmijëve tanë”, përfundon Binaj.
Reagimi i Florian Binajt:
Falenderoj për mbështetjen që i dha kandidimit tim si kandidat i pavarur Partia Demokratike, Shqipëria Bëhet dhe Nisma Thurje.
Mbetem i hapur për çdo mbështetje që do të vijë nga forcat opozitare.
Dëshiroj mbi të gjitha të falenderoj me mijëra qytetarë të Tiranës, të cilët më kanë inkurajuar këto ditë.
Kjo garë është për ju! Unë nuk jam politikan, jam qytetar dhe partia ime jeni JU!
Deri më sot kam luftuar padrejtësinë dhe të keqen me humorin dhe artin tim, sot ju ftoj ta luftojmë me votë.
Të dënojmë ata që na vodhën dhe bënë humor me ne! Ju ftoj të bëjmë bashkë mendjet dhe zemrat kundër pushtetit që po dhunon jetët dhe të ardhmen e fëmijëve tanë!


