Mediat ndërkombëtare raportojnë për një tentativë të dyshuar atentati ndaj ish-presidentit sirian Bashar al-Assad, i cili aktualisht ndodhet në azil politik në Rusi. Sipas burimeve të Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut, Assad është shtruar në një spital në periferi të Moskës në gjendje kritike, pasi dyshohet se është helmuar.
Raportohet se gjatë qëndrimit në spital, vetëm vëllait të tij, Maher Assad, iu lejua ta vizitonte, në kuadër të një operacioni të gjerë sigurie. Qeveria ruse deri më tani nuk ka dhënë asnjë koment zyrtar mbi ngjarjen, ndërsa pretendimet nuk janë konfirmuar nga burime të pavarura.
Assad, 60 vjeç, u rrëzua nga pushteti dhjetë muaj më parë dhe më pas iu dha azil nga presidenti rus Vladimir Putin, së bashku me familjen dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt. Që prej mbërritjes në Rusi, ai nuk është shfaqur në publik dhe besohet se mbahet nën mbikëqyrje të rreptë nga shërbimet sekrete ruse.
Autoritetet e reja në Siri kanë kërkuar zyrtarisht ekstradimin e Assad, por Kremlini ka refuzuar deri më tani.
Raportet e mëparshme sugjeronin se, pak javë pas mbërritjes në Rusi, Assad i ishte ankuar personelit të sigurisë për probleme shëndetësore dhe vështirësi në frymëmarrje — çka sot po shihet si shenjë paralajmëruese e një helmimi të mundshëm.


