Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, njoftoi se qeveria synon të rrisë pagën minimale në 50 mijë lekë duke nisur nga viti 2026, ndërsa objektivi afatmesëm është që paga mesatare të arrijë në 1 mijë euro brenda katër viteve të ardhshme.
Gjatë konferencës “Stabilitet dhe Zhvillim përmes Ekonomisë dhe Inovacionit”, Ibrahimaj theksoi se rritja e pagave është pjesë e një strategjie për fuqizimin e kapitalit njerëzor dhe përmirësimin e mirëqenies ekonomike.
“Burimet njerëzore janë pasuria më e madhe e vendit. Rritja e pagave ndihmon të mbajmë fuqinë punëtore në vend dhe rrit produktivitetin,” u shpreh ministrja.
Ibrahimaj shtoi se për 18 muajt e parë pas rritjes së pagës minimale nuk do të ketë taksa apo tatime të reja, duke krijuar një klimë më të qëndrueshme për qytetarët dhe bizneset.
Sipas saj, Shqipëria ndodhet në një cikël pozitiv ekonomik, reflektuar në rritjen e konsumit, investimeve dhe punësimit. Politikat në vijim do të fokusohen në:
Rritjen e punësimit dhe mbështetjen e fuqisë punëtore;
Nxitjen e sipërmarrjes dhe inovacionit, veçanërisht në sektorët digjitalë dhe teknologjikë;
Fuqizimin e shtresës së mesme si themel i një shoqërie të qëndrueshme;
Investime strategjike në bujqësi, energji, teknologji dhe turizëm;
Përmirësimin e klimës së biznesit për tërheqjen e investimeve të huaja dhe rritjen e konkurrueshmërisë.
Ministrja nënvizoi gjithashtu rëndësinë e reformave strukturore dhe ruajtjes së stabilitetit fiskal dhe monetar si bazë për një zhvillim të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës.


