Reperi nga Ferizaj, Mozzik, ka reaguar publikisht në Facebook pas skandalit të fundit me orën që kishte prezantuar si origjinale Richard Mille, e cila rezultoi e falsifikuar.
Në postimin e tij, Mozzik tha se incidenti ishte pjesë e një “loje me skenar” nga ana e tij, por shtoi se problemi thelbësor është personal dhe politik: sipas reperit, disa anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë pasur “çështje personale” me të prej kohësh.
“Moti kohë disa nga VV-ja e kanë personale me mua. Kjo që ndodhi me orën këto ditë ishte një lojë me skenar nga unë, por e vërteta është se ata e kanë bërë çështje personale me mua prej shumë kohësh – dhe këtë e dini edhe vetë,” shkroi Mozzik.
Reperi gjithashtu akuzoi se gjatë incidentit në aeroport ka pasur presion nga Hekurani dhe Dimali për ta ndaluar atë, duke e cilësuar këtë si një sulm politik. Ai theksoi se gjatë dy viteve të fundit është përballur me padrejtësi nga ATK dhe mohoi çdo lidhje me aktivitete të paligjshme: “Ama jo, jo – nuk i kam fituar paratë as me drogë, as me hajni. I kam fituar vetëm me talentin tim. Dhe me orë fallco nuk mundet askush të më tatimojë me mijëra e mijëra euro”.
Mozzik përmendi edhe Kryeministrin duke pyetur në mënyrë retorike nëse është në dijeni për “inatet personale të vendasve” ndaj tij dhe përfundoi me një ton vendosjeje: “Unë i kam vetëm 29 vjet, por gjithmonë kam qenë një hap para jush. Më leni rahat, se tash ju nxora ashiqare! Suksese!”.


