Java politike në Tiranë nis me një tjetër përpjekje për të kapërcyer ngërçin mes mazhorancës dhe opozitës. Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka thirrur për ditën e hënë, në orën 11:00, Konferencën e Kryetarëve, me qëllim që të miratohet përbërja e komisioneve të përhershme parlamentare dhe lista e zëvendësuesve.
Demokratët kanë përzgjedhur tashmë katër emrat që do të kryesojnë komisionet e tyre dhe shtatë nënkryetarët që do të jenë pjesë e komisioneve të drejtuara nga socialistët. Megjithatë, ata refuzojnë t’i depozitojnë zyrtarisht në Kuvend, duke kundërshtuar ndryshimet e njëanshme që mazhoranca bëri në Rregulloren e Parlamentit.
Kjo mosdakordësi ka çuar Partinë Demokratike drejt një bojkoti të plotë të votimit për strukturën e re, ndërkohë që është paralajmëruar se beteja do të zhvendoset në Gjykatën Kushtetuese.
Lëvizja e radhës e mazhorancës shihet si përpjekje për të normalizuar punimet parlamentare dhe për të konsoliduar funksionimin e komisioneve, por mbetet për t’u parë nëse opozita do të lëshojë pe, apo nëse konflikti do të thellohet më tej, duke krijuar një tjetër krizë në jetën parlamentare të vendit.


