Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me stafin mjekësor të QSUT, ku prezantoi edhe ministren e re të Shëndetësisë, Evis Sala, duke theksuar ambiciet për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në vend.
Rama u shpreh se Shqipëria duhet të tërheqë jo vetëm mjekë shqiptarë që punojnë jashtë vendit, por edhe profesionistë të huaj, për të punuar bashkë me trupën e QSUT-së.
“Nuk duhet të vendosim asnjë limit në ambicie. Jemi në momentin e duhur për të rienergjizuar të gjithë së bashku dhe për ta parë çdo gjë si një fillim të ri,” tha ai.
Kreu i qeverisë vuri në dukje se infrastruktura e QSUT-së është moderne dhe nuk ka çfarë t’i ketë zili spitaleve më të njohura, por sfida mbetet cilësia e shërbimit dhe integriteti i stafit mjekësor. “Problemi nuk është profesionalizmi, por integriteti i të gjithë trupës dhe kapaciteti i saj për të prodhuar sukses,” shtoi Rama.
Ai theksoi se, ndonëse nuk është realiste të pretendosh hyrjen në 100 spitalet më të mira të botës, QSUT mund të ketë vendin e vet mes 500 spitaleve më të mira globale, duke e bërë një objektiv të arritshëm dhe të motivueshëm për të gjithë.


