Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka reaguar me tone të forta pas shkeljes së hapësirës ajrore të Estonisë nga avionë ushtarakë rusë, duke e cilësuar incidentin si “të papranueshëm” dhe pjesë të një strategjie më të gjerë destabilizuese nga Moska.
Në një deklaratë publike, Zelensky nënvizoi se ky veprim nuk është i rastësishëm: “Kjo nuk është rastësi. Është një fushatë sistematike ruse kundër Evropës, kundër NATO-s, kundër Perëndimit,” tha presidenti ukrainas.
Ai bëri thirrje për një përgjigje të koordinuar dhe të fortë nga aleatët perëndimorë, duke theksuar se veprimet e Moskës kërkojnë masa të menjëhershme. “Duhet një përgjigje sistematike. Veprime të forta janë të nevojshme, si të përbashkëta, ashtu edhe nga secili vend individualisht,” deklaroi Zelensky.
Presidenti ukrainas shtoi se Rusia duhet të përballet me pasoja të rënda dhe presion ndërkombëtar në rritje, duke kërkuar intensifikimin e sanksioneve dhe izolimin diplomatik të Kremlinit.


