Ngjarja makabre e Shënavlashit, ku babai i familjes, Pëllumb Meta, u vra dhe u gropos nga fëmijët e tij në shkurt 2024, ka hyrë në fazën përfundimtare të gjykimit.
Në seancën e 16 shtatorit 2025, Prokuroria e Durrësit kërkoi dënime të rënda për katër anëtarët e familjes Meta:
Burgim të përjetshëm për Hysen Metën, autorin kryesor të dyshuar, i cili akuzohet se e qëlloi të atin me armë zjarri në prani të motrës Hygerta.
30 vite burg për Hygerta Metën, e akuzuar si bashkëpunëtore në vrasje dhe në fshehjen e trupit.
5 vite burg për djalin tjetër, Amarildo Metën, për fshehjen e kufomës.
3 vite burg për Blerina Metën, bashkëshorten e viktimës, e akuzuar për pengim të drejtësisë.
Sipas akuzës, Hysen dhe Hygerta Meta kishin planifikuar me qetësi vrasjen e të atit, duke siguruar armën dhe vendin e krimit. Më 10 shkurt 2024, Hysen Meta e qëlloi Pëllumb Metën katër herë, prej të cilëve tre plumba rezultuan fatalë. Trupi u mbështoll dhe u gropos në një kasolle bagëtish pranë banesës, ndërsa u zhdukën sendet personale dhe arma e krimit.
Fillimisht, familjarët tentuan ta paraqisnin ngjarjen si largim vullnetar të viktimës nga banesa, por hetimet zbuluan dinamikën e vërtetë. Në gjykatë, Hygerta Meta pranoi se babai u vra nga i vëllai Hysen, në prani të saj.
Gjykata pritet të japë vendimin pas fjalës së mbrojtjes.


