Këtë të mërkurë ka nisur procesi i votimit për qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit, për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Për herë të parë, votuesit do të marrin në adresat e tyre pakot me fletëvotime, dhe 15 mijë pako janë përgatitur për t’u nisur gjatë ditës.
Deri në orën 13:00, janë kompletuar rreth 15 mijë pako individuale, ndërsa rreth 10 mijë prej tyre tashmë janë dërguar jashtë vendit, kryesisht drejt Gjermanisë dhe Austrisë. Procesi i shpërndarjes pritet të përfundojë më 23 shtator.
Pakot që do t’u dërgohen 43,933 votuesve përmbajnë:
Fletëvotimin për kryetar të komunës dhe kuvendin komunal,
Zarfin kthyes,
Zarfin e fshehtësisë,
Udhëzues për mënyrën e votimit dhe kthimit të fletëvotimit.
Votimi i diasporës do të mbyllet më 11 tetor, ndërsa qytetarët duhet të kthejnë pakot në adresat postare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të hapura në 23 shtete të botës.
Brenda vendit, për zgjedhjet komunale të 12 tetorit kanë të drejtë vote 2,025,105 qytetarë.


