Dhoma Vendore e Avokatisë në Vlorë ka reaguar ashpër ndaj situatës në Drejtorinë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, duke e cilësuar atë si “vatër keqmenaxhimi dhe abuzimi” që ka prodhuar pasiguri juridike masive dhe ka minuar të drejtën e pronës.
Në një deklaratë publike, avokatët denoncojnë vonesat, arbitraritetin dhe praktikat e dyshimta që, sipas tyre, kanë dëmtuar qytetarët dhe bizneset, duke rritur konfliktet gjyqësore dhe penguar zhvillimin ekonomik.
Dhoma e Avokatisë ngre dyshime për vepra të mundshme penale si shpërdorim detyre, korrupsion aktiv e pasiv, si dhe pengim të drejtësisë. Për këtë arsye, ajo kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga drejtuesit qendrorë të Kadastrës dhe nisjen e hetimeve penale nga Prokuroria e Vlorës dhe SPAK.
Avokatët paralajmërojnë se do të ndjekin nga afër zhvillimet dhe, nëse institucionet nuk veprojnë, do të ndërmarrin hapa të mëtejshëm ligjorë, përfshirë edhe adresimin në instanca ndërkombëtare.


