Një punonjëse e Shërbimeve Sociale pranë Bashkisë Gramsh ka zbardhur para policisë dëshminë e saj lidhur me përfshirjen në një platformë mashtrimi online, të njohur si XUEX. Ajo ka treguar se për herë të parë mori dijeni për këtë skemë gjatë një dreke festive me kolege pune, të cilat i shpjeguan se përmes klikimeve të thjeshta në aplikacion mund të përfitoheshin shuma parash.
Sipas dëshmisë, fillimisht ajo vendosi të investonte 1000 euro, të cilat iu shumëfishuan në 3000 euro dhe iu transferuan në llogarinë e saj në Binance. Pas këtij momenti, punonjësja pranoi se nisi ta besonte plotësisht funksionimin e platformës dhe madje shpjegoi mënyrën e regjistrimit edhe për familjarë të saj, duke u dërguar linkun e aplikacionit. Një pjesë të parave madje ia kaloi edhe motrës së divorcuar “për ta ndihmuar financiarisht”.
Ajo theksoi se nuk e kishte parë si mashtrim, pasi të gjitha proceset e investimit dhe tërheqjes së parave kryheshin në mënyrë të dukshme “zyrtare dhe transparente”. Aktualisht, në llogarinë e saj në Binance ndodhen mbi 3000 USDT, ndërsa rreth 5000 euro të tjera figurojnë ende të bllokuara në platformën XUEX.
Ndërkohë, Policia e Shtetit bëri me dije më 14 shtator se ka arrestuar gjashtë persona dhe ka shpallur në kërkim dy të tjerë, si të dyshuar për përfshirje në këtë skemë piramidale. Hetimet vijojnë për të zbuluar organizatorët e vërtetë që qëndrojnë pas këtij mashtrimi financiar.


