SHBA– James Rubin, i cili gjatë kohës së luftës në Kosovë ka qenë ndihmësekretar amerikan i Shtetit, tha se javën e ardhshme do të dëshmojë para Dhomave të Specializuara në Hagë.
Më 15 shtator, mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të nisë mbrojtjen e saj.
“Do të jem në Evropë sepse javën e ardhshme do të jap dëshmi në Tribunalin special për krime lufte në Kosovë dhe si dikush që i ndihmoi [ish-kryediplomates së ndjerë amerikane] Madeleine Albrightit në themelimin e Tribunalit fillestar për krime lufte. Kjo nënkupton se do të kthehem përsëri në fillim dhe kam më shumë për të thënë për këtë javën e ardhshme”, tha Rubin për Christiane Amanpour Presents: The Ex Files with James Rubin.
Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi dhe ish-deputeti iKosovës, Rexhep Selimi, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata mohojnë akuzat.
Më 15 shtator ekipi mbrojtës i Thaçit do të nisë paraqitjen e provave dhe thirrjen e dëshmitarëve. Pasi të ketë përfunduar ekipi i Thaçit, rastin do ta paraqesë edhe ekipi i Krasniqit.
Më 16 korrik 2025, ekipet mbrojtëse të Veselit dhe Selimit njoftuan se nuk synojnë të paraqesin ndonjë dëshmi mbrojtëse.
Mbrojtja e Thaçit ka paralajmëruar se në mesin e dëshmitarëve që do të thërrasë ka edhe figura nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania.
“Unë nuk mund të them këta emra në publik sepse bëhet fjalë për persona me një staturë të lartë, persona që janë shumë të njohur si për shembull sekretarja Albright, Richard Holbrooke, senatori Dole etj.“- tha njëri nga avokatët e Thaçit gjatë konferencës statusore të mbajtur më 19 gusht.


