Kameramani Jetmir Muji është arrestuar në Prishtinë, pasi filmoi vajzat e mitura të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në ambientet e shkollës ku ato vijojnë mësimet. Aktualisht, ai ndodhet në stacionin policor Qendër.
Presidentja Osmani reagoi ashpër, duke e cilësuar veprimin si “përndjekje të vazhdueshme, të kundërligjshme dhe të rrezikshme” nga disa media ndaj vajzave të saj.
Ajo theksoi se prej pesë vitesh fëmijët e saj kanë frekuentuar shkollën publike “Ismail Qemali” në Prishtinë, përballë sfidave të përbashkëta me nxënësit e tjerë, por se disa media janë marrë vetëm me publikimin e pamjeve dhe vendndodhjes së tyre, duke rrezikuar seriozisht sigurinë e tyre.
“Incizimet e paautorizuara të fëmijëve të mitur nuk janë pjesë e lirisë së shprehjes, por ekspozim i rrezikshëm që krijon hapësirë për sulme, kanosje e madje edhe kidnapime,” deklaroi Osmani, duke shtuar se policia ka detyrim ligjor të garantojë mbrojtjen e fëmijëve të saj.
Ajo paralajmëroi se do të ndjekë çdo rrugë ligjore për të mbrojtur vajzat, ndërsa kujtoi se praktika të tilla shkaktojnë jo vetëm rrezik fizik, por edhe pasoja psikologjike afatgjata. Osmani bëri të ditur gjithashtu se ndryshimi i shkollës ka ardhur për arsye të sigurisë dhe për shkak të lëvizjes së familjes në një vendbanim tjetër.


