Ndeshja e planifikuar sot mes përfaqësueseve U21 të Francës dhe Luksemburgut në Lorient, për kualifikueset e Europianit 2027, është shtyrë për më 3 tetor pas një incidenti të rëndë me autobusin e skuadrës luksemburgase.
Sipas njoftimeve zyrtare, pesë futbollistë përfunduan në spital, por fatmirësisht u lëshuan të gjithë pasi gjendja e tyre u vlerësua e mirë. Autobusi, i nisur nga stadiumi Stade du Moustoir drejt hotelit në Ploermel, doli nga rruga dhe përfundoi në një kanal. Shkak i aksidentit dyshohet të ketë qenë një problem shëndetësor i shoferit.
Shoferi, 53-vjeç, me nëntë vite përvojë, nuk kishte asnjë precedent aksidenti dhe dispononte dokumentacion mjekësor të rregullt. Kompania e transportit njoftoi se ai kishte kaluar me sukses testet për alkool dhe droga, duke përjashtuar këto si faktor të mundshëm.
Federatat e të dy vendeve, në bashkëpunim me UEFA-n, vendosën të shtyjnë ndeshjen për të garantuar sigurinë dhe mirëqenien e lojtarëve. Për fat të mirë, askush nga ekipi i Luksemburgut nuk pësoi lëndime serioze.


