Kinemaja spanjolle është në zi pas ndarjes nga jeta të aktores së njohur Verónica Echegui, e cila humbi betejën me kancerin në moshën 42-vjeçare. Aktorja ndërroi jetë të dielën në spitalin “12 de Octubre” në Madrid, pas një sëmundjeje që e mbajti të fshehtë nga publiku.
E lindur në vitin 1983 në Madrid, Echegui u bë e njohur me filmin “Yo soy la Juani” (2006), që i solli një nominim për çmimin Goya. Gjatë karrierës, ajo luajti në dhjetëra filma e seriale, mes tyre “My Prison Yard”, “The Cold Light of Day” krah Bruce Willis dhe Sigourney Weaver, si dhe projektet ndërkombëtare “Fortitude”, “Explota Explota” dhe “Love You To Death”, që ishte roli i saj i fundit. Ajo u vlerësua gjithashtu si regjisore me filmin e shkurtër “Tótem Loba”, fitues i një çmimi Goya në vitin 2022.

Humbja e saj ka shkaktuar reagime të mëdha në botën e artit. Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez e përshkroi si “një talent të jashtëzakonshëm që u shua shumë shpejt”, ndërsa Antonio Banderas dhe shumë aktorë të tjerë e kanë përkujtuar me dhimbje.


Përveç karrierës artistike, Verónica Echegui njihej edhe si një zë i fortë kundër abuzimeve në industrinë e filmit, duke folur hapur për përvojat e saj personale.
Trashëgimia e saj do të mbetet e gjallë në filmat dhe mesazhet që la pas.


