Detaje të reja janë zbuluar lidhur me ngjarjen tragjike që tronditi Volosin një ditë më parë, ku 40-vjeçari Pandeli Nakoleci masakroi bashkëshorten e tij, 36-vjeçaren Marjola Nakoleci, para syve të katër fëmijëve të tyre.
Reagimi i motrës së viktimës
Motra e Marjolës ka deklaruar për Euronews Albania se Pandeli Nakoleci ushtronte dhunë jo vetëm ndaj gruas, por edhe ndaj fëmijëve të tyre. Sipas saj, fëmijët kishin frikë të rrinin me babain, ndaj Marjola kishte kërkuar që ai të largohej për pak kohë për të qetësuar situatën.
“Ai ishte një qen i pabesë që ia mori jetën motrës time dhe la fëmijët jetimë. Nuk ishte i sëmurë mendërisht, por bënte ç’të donte. U bënte dhunë psikologjike fëmijëve. Dua që ai të kapet dhe të ngordhë në burg,” ka thënë motra e viktimës.
Ajo ka theksuar se analizat në klinikën psikiatrike dolën normale dhe nuk rezultoi të kishte probleme mendore:
“E çoi te psikiatri me policinë. I thanë që ishte mirë, nuk kishte asgjë. U mbajt vetëm dy ditë dhe më pas u kthye në shtëpi, por vazhdonte të bënte sherre me motrën time dhe fëmijët.”
E kaluara kriminale e autorit
2013: Arrestuar për falsifikim dokumentesh dhe hyrje të paligjshme në Greqi
2018: Dënuar me 1 vit burg për deklarata të rreme
2019: Arrestuar dy herë për posedim droge
2020: Dënuar me 4.5 vite burg për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafik droge
Qershor 2025: Shtruar me urdhër prokurorie në klinikë psikiatrike pas tentative vetëvrasjeje
Ngjarja tragjike
Krimi ndodhi në banesën e çiftit, ku Nakoleci dyshohet të ketë goditur për vdekje bashkëshorten me një mjet kuzhine. Katër fëmijët, të moshës 6–18 vjeç, ishin dëshmitarë të ngjarjes.
Vajza 16-vjeçare raportoi:
“E pashë babin duke i goditur mamin me thikë. Nuk e di pse u grindën… Babai e xhelozonte shumë mamanë.”
Viktima fillimisht u sulmua brenda apartamentit, pastaj u ndoq nga bashkëshorti në shkallët e pallatit dhe u shty drejt xhamave të derës hyrëse, ku pësoi plagë fatale nga copat e thyer. Sipas burimeve mjekësore, vdekja erdhi nga gjakderdhja dhe trauma nga rënia mbi xhamat.
Reagimi i komunitetit
Banorët e pallatit e përshkruajnë Marjolën si një grua të qetë, punëtore dhe të përkushtuar ndaj familjes. Ajo punonte në një fabrikë dhe ishte shtylla e familjes.
Kërkimi i autorit
Pas krimit, 40-vjeçari është arratisur dhe policia greke ka nisur një operacion të gjerë kërkimi në Volos dhe zonat përreth. Kufijtë janë vënë nën vëzhgim, dhe bashkëpunimi me autoritetet shqiptare është i mundur në rast se ai tenton të largohet nga vendi.