Një ngjarje e rëndë tronditi mëngjesin e së premtes në Volos, Greqi, ku një familje shqiptarësh u përball me një tragjedi të paprecedentë.
Kryefamiljari, Pandeli Nakoleci, vrau me thikë gruan e tij, Marjolën, dhe më pas u arratis. Policia greke ka rrethuar zonën dhe po vijon kërkimin e tij.
Sipas mediave vendase, ishte vajza e viktimës që telefonoi shërbimet e urgjencës, e tronditur pasi pa nënën e saj të mbuluar me gjak në hyrje të pallatit.
Autori ka pasur më parë probleme të shëndetit mendor dhe ka marrë trajtim për to, ndërsa detajet mbi shkaqet e sherrit mbeten ende të paqarta. Ai ka qenë gjithashtu përdorues droge dhe dyshohet se ka tentuar vetëvrasje qershorin e kaluar.
40-vjeçari ka edhe një dënim për vjedhje dhe është deportuar më parë nga Greqia.
Katër fëmijët e mitur të çiftit ishin gjithashtu në apartament gjatë ngjarjes dhe janë larguar nën mbrojtjen e policisë. Sipas informacionit paraprak, nuk ka histori të dhunës në familje. Banorët e zonës tregojnë se familja nuk ka pasur probleme me fqinjët dhe gjithmonë ishte e qetë.