Detaje të reja janë publikuar nga aksioni i policisë në Korçë. Blutë kanë arrestuar në qendër të Korçës Ramadan Zoton, 43 vjeç, në kërkim ndërkombëtar për disa akuza. Burime pranë uniformave blu bëjnë me dije se Zoto, i njohur edhe si Ramadan Canaj, ka qenë nën vëzhgim që nga nisja e operacionit sot dhe dyshohet se po përgatitej të kalonte kufirin drejt Greqisë.
Ngjarja për të cilën Zoto ishte në kërkim daton më 17 Korrik në qytetin bregdetar të Sarandës, ku dyshohet se ai plagosi dy persona. Para këtij aksioni, uniformat blu kishin arrestuar vëllain e tij.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se gjatë aksionit në Korçë janë shoqëruar edhe persona të tjerë që ndodheshin në automjetin e Ramadan Zotos.
Policia vijon hetimet dhe pritet të japë detaje shtesë mbi aksionin dhe personat e përfshirë.


