Një figurë e njohur e trafikut të drogës me origjinë nga Shkodra, Miklovan Danaj, i njohur ndryshe si ‘Keli’, dyshohet të jetë ekzekutuar nga bandat në Spanjë. Ai ka humbur kontaktet me familjen, e cila po e kërkon në çdo vend ku mund të jetë, përfshirë Spanjën, Shqipërinë dhe Italinë.
Pak kohë më parë, familjarët morën një mesazh shqetësues nga një person i panjohur: “Miklovani është vrarë, mos e kërkoni.”
Miklovani, 30 vjeç, pas largimit nga Pisa, Itali, ishte zhvendosur në Marbella, Spanjë, ku merrej me trafikun e kokainës nga Kolumbia drejt Evropës. Ai kishte krijuar grupin e tij dhe kishte fituar influencë mes bandave, por konflikte të brendshme dhe tradhti nga bashkëpunëtorët mund të jenë shkaku i vrasjes së tij.
Sipas burimeve, ai dyshohet se është marrë peng, dhunuar dhe më pas vrarë, ndërsa trupi i tij mund të jetë hedhur në det. Policia spanjolle po heton zhdukjen, pa dhënë ende informacion mbi gjetjen e trupit.
Familja e Miklovanit jeton në ankth, duke kërkuar informacion mbi fatin e tij, ndërsa burime pranë tij thonë se shkaku i vrasjes lidhet me aktivitetin e tij në tregun e kokainës dhe konfliktet me banda të tjera në Evropë.


