Milani njoftoi se legjenda e klubit dhe nënkryetari i nderit, Franco Baresi, ka kryer me sukses një ndërhyrje kirurgjikale në mushkëri, pas një problemi të zbuluar gjatë kontrolleve rutinë.
“Ndërhyrja ka përfunduar mirë dhe periudha pas operacionit ka qenë pa ndërlikime. Franco është vlerësuar nga onkologu specialist, i cili ka rekomanduar një terapi konsoliduese me bazë imunoterapie,” thuhet në deklaratën e klubit kuqezi.
Vetë Baresi u shpreh përmes një mesazhi për tifozët: “Do të më duhet pak kohë për t’u rikuperuar. Faleminderit Milanit dhe të gjithëve ju për mbështetjen dhe përkrahjen. Me dashuri, një përqafim.”
Franco Baresi, shpallur “Milanisti i shekullit” në 1999 dhe pjesë e Hall of Fame të futbollit italian që prej 2013-ës, është një nga emrat më të mëdhenj në historinë e klubit. Ai luajti për Milanin për dy dekada (1977–1997), pesëmbëdhjetë prej të cilave si kapiten, duke fituar gjashtë Scudetto, tre Kupa të Kampioneve dhe një sërë trofesh të tjerë.


