Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zhvilluar një operacion të gjerë ndaj një grupi të strukturuar kriminal që dyshohet për trafik ndërkombëtar narkotikësh dhe pastrim parash përmes sistemit informal të transferimit “Hawala”.
Në qendër të hetimeve janë tre persona: Ervis Ferizaj, Burim Ferizaj dhe Përparim Kallbaj, të cilët akuzohen se për vite me radhë kanë krijuar një rrjet të sofistikuar për lëvizjen e parave nga Zvicra në Shqipëri. Hetimet kanë zbuluar se që prej vitit 2020, grupi ka mundësuar transferimin e miliona eurove me origjinë kriminale, duke përdorur zyra këmbimi valutor, agjenci turistike dhe rrugë të tjera joformale. Për çdo shumë të lëvizur, anëtarët e grupit përfitonin një komision prej 6%, i cili ndahej mes drejtuesve në Shqipëri dhe bashkëpunëtorëve në Zvicër.
Me vendim të Gjykatës së Posaçme, janë sekuestruar një sërë pasurish që dyshohen të jenë përfituar nga aktiviteti kriminal. Në emër të Ervis Ferizaj u bllokua kompania “Ferizaj-78” me të gjitha asetet e saj, një njësi tregtare në Tiranë me vlerë 200 mijë euro, si dhe një vilë dykatëshe në Lalëz të Durrësit me vlerë 80 mijë euro. Gjithashtu, gjatë kontrolleve u gjetën dhe sekuestruan 77,160 franga zvicerane në para të gatshme. Në emër të Përparim Kallbaj u vendos sekuestrimi i kompanisë “Kalbaj” dhe të gjitha aseteve të saj.
Gjatë operacionit, në ambientet e kompanive dhe banesave të përfshira në hetim, u sekuestruan gjithashtu rreth 68 milion lekë që dyshohen si të ardhura të përfituara nga veprimtaria kriminale.
Për këtë çështje, Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për tre personat nën hetim. Burim Ferizaj dhe Përparim Kallbaj janë arrestuar në Shqipëri, ndërsa Ervis Ferizaj ndodhet aktualisht në paraburgim në Zvicër. SPAK njofton se hetimet po vijojnë për zbardhjen e plotë të rrjetit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.


