TIRANË– Kryeministri Edi Rama ditën e sotme përmes një postimi në Facebook ka bërë një ultimatum të fundit për bizneset që ndodhet në anë të segmenteve rrugore.
Shefi i qeverisë është shprehur se të gjitha bizneset kanë afat deri më datë 31 Korrik të lirojnë buzërrugët.
POSTIMI I PLOTË I RAMËS:
Bizneset në anë të segmenteve rrugore kanë afat deri në 31 korrik për të larguar vetë çdo lloj materiali që ndodhet më pak se
20 m nga aksi i rrugës, që është edhe distanca ligjore e sigurisë – përjashtuar objektet e ndërtuara me leje, po jo materialet në oborret e tyre të përparme, gardhet e të cilëve po ashtu do të duhet të tërhiqen në maksimumin e mundshëm, sipas projektit që do t’u dorëzohet më tutje nga ARRSH
Mbajtja buzë rrugëve e rraqeve si këto në foto apo të tjera, nga materialet ndërtimore tek inertet dhe makinat e vjetra e me radhë, përtej afatit të paralajmëruar do të shoqërohet me masa të rënda ndëshkimore sipas parashikimeve ligjore në fuqi
Tanimë Shqipëria po troket në derën e Bashkimit Europian dhe kjo fazë kalimtare e ushtrimit të aktivitetit ekonomik në dëm të komunitetit e të mjedisit në tërësi, po edhe të sigurisë së qarkullimit në rrugët kombëtare në veçanti, duhet të konsiderohet e mbyllur. Nga të gjithë dhe me mirëkuptimin më të madh kombëtar, për Shqipërinë 2030 në BE


Kujtojmë se një ditë më parë ishte në terren për të njëjtën problematikë edhe vetë Ministrja e Infrastrukturës, njëkohësisht Zv.Kryeministrja, Belinda Balluku. Kjo e fundit sëbashku me kreun e ARRSH-së u shpreh se deri në datën 31 Korrik çdo biznes duhet të çlirojë hapësirat e qytetarëve./Radar.al


