Komisioni i Konkurrencës ka ndëshkuar me gjobë, vlera e së cilës nuk specifikohet, por mund të jetë deri maksimumi 16 milionë euro, dy kompani, AGNA SHA, kompani e njohur shqiptare në pronësi të vllezërve Naçi dhe INTER STOCK SHPK, kompani veshjesh nga Kosova, pasi kanë njoftuar jashtë afateve ligjore krijimin e kompanisë së përbashkët INTER STOCK Albania SHPK, e cila do të merret me tregtimin e produkteve të veshjeve të ndryshme dhe këpucëve të të gjitha llojeve edhe në Shqipëri.
Në vendim, Konkurrenca informon se palët kanë hartuar dhe nënshkruar statutin e shoqërisë INTER STOCK Albania SHPK. Statuti i shoqërisë ka përcaktuar themelimin bashkërisht të një shoqërie të re, me përgjegjësi të kufizuar, ku kapitali themeltar i shoqërisë do të përbëhet nga kontributi në para i Ortakëve Themelues në vlerën totale 1,000,000 lekë, i cili përbëhet nga 2 kuota, ku 1 kuotë i përket shoqërisë INTER STOCK SHPK, që përfaqëson 49% të kapitalit dhe 1 kuotë i përket shoqërisë AGNA SHA, me 51% të kapitalit.
Konkurrenca vëren se referuar dokumentacionit të depozituar, transaksioni i propozuar përbën një përqendrim në kuptim të nenit 10 dhe 12 të ligjit nr. 9121 datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”dhe si i tillë është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës. Njoftimi te Autoriteti i Konkurrencës për rastin e përqëndrimit është publikuar në faqe në datën 30 maj 2025.
Në vendimin e gjobës, AK vëren se bazuar në nenin 12, pika 2 e ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, një përqendrim duhet të njoftohet pranë Autoritetit të Konkurrencës brenda 30 ditëve nga lidhja e marrëveshjes.
Në rastin e krijimit të ndërmarrjes së përbashkët me funksione të plota INTER STOCK Albania SHPK, detyrimin për njoftim e kanë patur shoqëritë AGNA SHA dhe INTER STOCK SHPK. Në zbatim të nenit 12, pika 2 e ligjit, palët kanë patur detyrimin për njoftim sipas parashikimit të nenit 53 të ligjit, brenda 30 ditëve duke filluar nga data 20.03.2025.
Për mosrespektim të afatit të njoftimit, Komisioni i Konkurrencës ka vendosur gjobë në masën jo më shumë se 1% të xhiros totale të vitit paraardhës financiar. AK njofton se xhiroja totale e e shoqërive palë në marrëveshje është në vlerën rreth 160 miliard lekë. Në fund të vendimit, AK e ka fshirë vlerën e gjobës për secilën nga shoqëritë, por në total sipas parashikimeve ligjore ajo mund të jetë maksimumi deri në 1.6 miliard lekë, ose 16 milionë euro. Shoqëritë kanë të drejtën e ankimimit të vendimit në Gjykatën Administrative Tiranë. Pasi i ka gjobitur kompanitë për tejkalim të afateve ligjore, përmes një vendimi tjetër, Konkurrenca ka dhënë autorizimin e përqendrimit për krijimin e ndërmarrjes së përbashkët, mes AGNA SHA dhe INTER STOCK Shpk.





