Duke nisur nga 1 korriku 2025, hyn në zbatim të plotë marrëveshja dypalëshe për sigurimet shoqërore mes Shqipërisë dhe Italisë, që garanton njohjen e ndërsjellë të periudhave të sigurimit dhe përfitimin e pensioneve për qytetarët që kanë punuar në të dyja vendet.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) ka publikuar sot udhëzuesin teknik për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, një dokument i detajuar që saktëson procedurat, kriteret e përfitimit dhe dokumentacionin që duhet paraqitur nga aplikuesit.
Marrëveshja, e nënshkruar më 6 shkurt 2024 në Romë dhe finalizuar gjatë vizitës së kryeministres italiane Giorgia Meloni në Tiranë në maj, synon të garantojë mbrojtje sociale për mijëra shtetas që kanë kontribuar në të dyja sistemet.
Sipas ISSH, përfituesit do të mund të marrin pension nga të dy vendet në bazë të viteve të sigurimit të plotësuara në secilin prej tyre. Në mënyrë të veçantë, marrëveshja u vjen në ndihmë edhe atyre qytetarëve që nuk kanë arritur të plotësojnë vitet minimale për përfitim në një nga vendet, duke i hapur rrugë përfitimeve deri në 400 euro/muaj për rreth 20% të personave mbi 67 vjeç që më parë ishin të përjashtuar nga skema.
Zyrat e ISSH dhe homologët italianë do të funksionojnë si pika kontakti të përbashkëta, duke ofruar shërbime për qytetarët shqiptarë dhe italianë pa asnjë kosto shtesë.


