Tensionet dhe përplasjet e brendshme brenda Partisë Demokratike, pas procesit të votimit për kryesinë e re, duket se po përshkallëzohen edhe në rrjetet e komunikimit të brendshëm mes kandidatëve.
Një përplasje e hapur ka ndodhur mes kandidates Adriana Kalaja dhe deputetes Jorida Tabaku në një grup chat-i ku ndodhen koordinatorët dhe kandidatët e PD-së për Tiranën, gjatë procesit të rinumërimit të votave.
Adriana Kalaja ka shfaqur hapur pakënaqësinë e saj për rezultatet e deritanishme, duke ironizuar me Tabakun, e cila deri tani rezulton të ketë marrë më shumë vota nga sa janë fletët fizike në disa kuti votimi.
“Kush është Jorida?” – shkruan Kalaja në bisedën e brendshme, duke shtuar: “A ishte për të njëjtin person që para fushatës na quante vrasës e gjatë fushatës llum? Këtë desha të sqaroja. Pastaj, ne kemi fjalën e bukur shqipe: Sudja???”
Shkëndija e debatit u ndez pas një mesazhi të Besim Kukës, një tjetër kandidat, i cili denonconte një gabim në procesin e rinumërimit ku, sipas tij, 18 vota të tij në QV 1670 ishin kaluar gabimisht te kandidati Akil Kraja.
Tabaku, sipas Kukës, kishte dërguar një mesazh për ta informuar për këtë rast, duke e cilësuar si një padrejtësi, megjithëse me ndikim të vogël në rezultatin final. Por ky gjest nuk u prit mirë nga Kalaja, e cila vijon të jetë kritike ndaj emrave që kanë marrë më shumë mbështetje, përfshirë edhe vetë Jorida Tabakun – e cila, nga ana tjetër, ka marrë mbështetje të drejtpërdrejtë nga Sali Berisha.
Përplasjet pritet të intensifikohen ndërsa procesi i rinumërimit vijon dhe gara për drejtimin e strukturave të PD në Tiranë hyn në fazë vendimtare.




