Në seancën e kaluar plenare të Kuvendit, u bë një ndryshim në Kodin e Punës, ku u njoftua se do të shkurtoheshin më pak se 1 javë pushime.
Ky ndryshim u cilësua si lapsus nga Kuvendi i Shqipërisë. Sipas projektligjit të miratuar, punonjësit do të përfitonin 6 ditë më pak pushime në vit: Pushimet vjetore për punëdhënësit, nga 4 javë kalendarike (28 ditë), bëhen 22 ditë kalendarike.
Kuvendi i Shqipërisë, sqaroi se ka bërë një gabim terminologjie duke ndryshuar termin “22 ditë kalendarike” në “22 ditë pune”. Gabim që është korrigjuar sipas tyre!

Sipas projektligjit të miratuar, punonjësit do të përfitojnë 22 ditë pushime (duke llogaritur këtu dhe fundjavën). Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë doli në një reagim zyrtar duke paralajmëruar protesta kombëtare nëse Kuvendi nuk bën ndryshimet në projektligj. Por si duket nuk do të ketë nevojë pasi ndryshimi u korrigjua.
Projektligji u dorëzua në Kuvend më 16 qershor të këtij viti. Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në mbledhjen mori në shqyrtim dhe diskutoi projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr. 7961, date 12.07.1995 “Kodi i Punës së Republikës së Shqipërisë””, si nismë e deputetëve Agron Duka dhe Fatmir Mediu.
Qëllimi i projektligjit
Konkretisht, në nenin 93, pika 3, të Kodit të Punës në fuqi, parashikohet se: “Pushimet vjetore duhet të jepen gjatë vitit të punës ose deri në fund të tremujorit të parë të vitit pasardhës, por asnjëherë nuk duhet të jenë më pak se një javë kalendarike pa ndërprerje. Ky ndryshim konsiston në heqjen e kufizimit, që askush nuk mund të përdorë pjesërisht lejen e zakonshme jo më pak se një javë kalendarike pa ndërprerje.Objektivat që synohen të arrihen, ndikimi ekonomik e social Kufizimi për të marrë pushimet vjetore jo më pak se një javë, nuk ekziston pothuajse në asnjë prej vendeve, jo vetëm evropiane. Kodet e punës krijojnë fleksibilitet maksimal për punonjësit, për të përdorur ditët dhe pushimet vjetore edhe nëse është një ditë, nëse punonjësi e konsideron të dobishme përdorimin e asaj dite për pushime. Studimet tregojnë se fleksibiliteti përmirëson mirëqënien e punonjësve. Punonjësit që ndihen sikur kanë kontroll mbi ekuilibrin e tyre të punës dhe kohës së lirë, kanë më shumë gjasa të jenë të lumtur dhe produktivë. Fleksibiliteti i shtuar në përdorimin e pushimit vjetor i lejon punonjësit të marrë pushim kur ka nevojë, qoftë për pushime, një emergjencë familjare, apo thjesht për të rimbushur energjitë e humbura nga lodhja apo çështje të ndryshme familjare. Fleksibiliteti i ditëve të pushimit rezulton në punonjës që janë të kënaqur me punën e tyre dhe kanë më pak gjasa të marrin ditë sëmundjeje, ose të largohen nga kompania. Studimet kanë treguar se rritja e fleksibilitetit në përdorimin e pushimit vjetor mund të çojë në rritjen e produktivitetit dhe inovacionit. Përfitime kanë edhe punëdhënësit, pasi rritja e fleksibilitetit në përdorimin e pushimit vjetor mund t’i ndihmojë punëdhënësit të zvogëlojnë kostot që lidhen me mungesën e punonjësve, qarkullimin dhe stresin. Për shembull, një punonjës mund të ketë nevojë të marrë disa ditë pushim për të ndjekur lojën në shkollë të një fëmije, ose për t’u kujdesur për një anëtar të sëmurë të familjes. Me rritjen e fleksibilitetit, ata mund të jenë në gjendje të marrin këto ditë pushimi, pa pasur nevojë të përdorin të gjithë pushimin e tyre njëjavor. Kjo është një mënyrë e mirë për t’u treguar punonjësve, se vlerësojnë ekuilibrin midis punës dhe pushimeve, duke krijuar një mjedis pune pozitiv.
Sipas Kodit aktual të punës, në Shqipëri janë 20 ditë pune leje vjetore, apo 28 ditë kalendarike. Me 32 ditë pushimi në vit, shqiptarët renditen në mesataren e vendeve të Europës. Në Europë, sipas një harte të publikuar nga Wikipedia, në krye të klasifikimit si vend me më shumë ditë pushimi të paguara është Austria me 41 ditë, e ndjekur nga Finlanda, Franca dhe Spanja me 36 ditë pushimi.
Në botë vendi me më shumë ditë pushimi është Sri Lanka, banorët e të cilit kanë 46 ditë pushimi në vit, ku përfshihet leja vjetore dhe pushimet.


