Detaje tronditëse kanë dalë në pah në lidhje me vrasjen e dyshuar të tri motrave – Patin, 9 vjeç, Evelyn, 8 vjeç dhe Olivia, 5 vjeç që dyshohet se është kryer nga babai i tyre, Travis Decker.
Referuar dosjes së çështjes pas zbulimit të trupave, vajzat mësohet se u gjetën me qese plastike mbi kokë dhe me duar të lidhura.
Trupat e tyre të pajetë u zbuluan pasditen e së hënës në një argjinaturë pranë një kampingu në Wenatchee, në shtetin e Washingtonit.
Provat e para mjekoligjore treguan se shkaku më i mundshëm i vdekjes ishte asfiksia.
Nga artikulli i publikuar në “New York Post”, mësohet se vajzat ishin ende të veshura me të njëjtat rroba që mbanin veshur ditën e premte kur u raportuan të zhdukura.
Në të njëjtën ditë Decker mori vajzat për një vizitë të planifikuar nga shtëpia ku ato jetonin me nënën e tyre, por nuk kishte treguar se ku do t’i çonte.
Në pjesën e pasme të kamionit të Decker u gjetën dy gjurmë pëllëmbësh të përgjakura, ndërsa të dhënat nga telefoni i tij celular tregojnë se ai ka qenë në zonën ku u gjetën trupat të shtunën.
Kush është Travis Decker?
Në lidhje me ngjarjen e rëndë vijojnë kërkimet për 32-vjeçarin Travis Decker, i cili akuzohet për rrëmbim dhe vrasje.
Autoritetet orfrojnë një shpërblim prej 20,000 dollarësh për çdo informacion që çon në arrestimin e tij.
Decker është një veteran i ushtrisë, për të cilin ish-bashkëshortja dhe nëna e vajzave kishte ngritur shqetësime të përsëritura mbi gjendjen e tij mendore, duke e përshkruar si gjithnjë e më të paqëndrueshëm.
Ai kishte shërbyer si parashutist dhe kishte fituar titullin “Ranger”, që nënkupton aftësi për mbijetesë dhe arratisje në kushte ekstreme.
Ka qenë gjithashti I certifkuar si instruktor në Qendrën Kombëtare të Stërvitjes së Luftëtarëve të Gardës Kombëtare në Fort Benning, Georgia, dhe ishte pjesë e Gardës Kombëtare të Uashingtonit që nga viti 2021.
Sidoqoftë, përballej me proces shkarkimi nga detyra për shkak të mungesave të përsëritura në stërvitjet mujore.
Në vitin 2024, gruaja e tij, Ëhitney, paraqiti kërkesë për divorc, duke përmendur si arsye paqëndrueshmërinë e tij mendore.
Sipas saj, Decker ishte diagnostikuar me çrregullim kufitar të personalitetit (BPD) dhe kishte shfaqur sjellje narciziste, ndërkohë që ajo dyshonte se ai nuk po merrte më trajtimin e nevojshëm.



