Aktori amerikan Devin Harjes, i njohur për rolet e tij në seriale si “Boardwalk Empire” dhe “Manifest”, ka ndërruar jetë në moshën 41-vjeçare, pas komplikimeve nga kanceri.
Lajmin e hidhur e ka konfirmuar zëdhënësi i tij, duke bërë me dije se Harjes u shua në spitalin Mount Sinai West në New York.
Harjes u bë i njohur për publikun me rolin e legjendës së boksit Jack Dempsey në dramën e HBO “Boardwalk Empire”, si dhe për rolin e Pete Baylor, anëtar i një bande droge në serialin e Netflix “Manifest”. Ai ka luajtur edhe në serialet “Blue Bloods”, “Orange Is the New Black”, “Elementary” dhe “FBI”.
I lindur në vitin 1983 në Lubbock, Texas, Harjes e nisi karrierën në skenat teatrore të Dallas-Fort Worth, për t’u zhvendosur më vonë në New York, ku ndërtoi një portofol të pasur artistik.
Përveç pasionit për aktrimin, ai stërvitej në arte marciale dhe ishte një ndjekës i rregullt i palestrës. Devin Harjes la pas prindërit e tij, Randy dhe Rosanne Harjes, si dhe motrën Trich. Një talent që premtonte shumë, por që u shua shumë shpejt.


