Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) ka rrëzuar kërkesat e katër kandidatëve të Partisë Demokratike për rinumërimin e votave në zgjedhjet e 2025. Bëhet fjalë për Ilir Alimehmetin, Mimoza Hajdarmatajn, Lisandër Hoxhën dhe Ilirjana Kuçanën.
Vendimi u mor me shumicë votash nga anëtarët e KAS-it, të cilët argumentuan se sipas Kodit Zgjedhor, të drejtën për të kërkuar rinumërim e ka vetëm subjekti politik, dhe jo kandidati individual.
Përfaqësuesit Elvin Lako dhe Koli Bele nga PS, si dhe Ledio Braho dhe Elvis Çefa nga PD votuan kundër shqyrtimit të ankimimeve. Vetëm anëtari Ilir Rusmali votoi pro kërkesave të kandidatëve.
Vendimi u konfirmua edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pas një seance paraprake me dyer të mbyllura:
“KAS shqyrtoi elementet e formës dhe përmbajtjes së kërkesave ankimore të kandidatëve: Mimoza Hajdarmataj, Ilir Alimehmeti, Lisandër Hoxha, Ilirjana Kuçana. KAS vendosi rrëzimin e kërkesave/mos kalimin për shqyrtim,” deklaroi KQZ.
Reagimet e kandidatëve: “Vendim që fsheh trafikun e votave”
Kandidatët e PD reaguan ashpër ndaj vendimit, duke e quajtur atë një goditje ndaj transparencës zgjedhore. Ata ngritën akuza për manipulime në shpërndarjen e votave preferenciale brenda listës së hapur.
Ilirjana Kuçana deklaroi për mediat:
“Kam kuti të identifikuara ku është tjetërsuar vota ime dhe i është kaluar kandidatëve të tjerë.”
Ndërsa Ilir Alimehmeti e cilësoi vendimin si një “artificë ligjore për të shmangur shqyrtimin e provave të paraqitura”.
Ndërkohë, kërkesa për rinumërimin e votave e paraqitur nga Aulon Kalaja pritet të shqyrtohet të martën në KAS.


