Mbrëmjen e sotme në burgun e sigurisë së lartë në Fushë-Krujë u regjistrua një shpërthim që shkaktoi shqetësim në zonë.
Në fillim dyshohej se shkaku i shpërthimit ishte një defekt në gjeneratorin pranë institucionit, por hetimet paraprake zbuluan se shkak ishte një sasi lënde plasëse, e dyshuar si tritol.
Oficerë të Policisë së Tiranës u nisën menjëherë drejt vendngjarjes për të asistuar në hetime, ndërsa grupi hetimor po punon intensivisht për të zbardhur shkaqet dhe motivet e ngjarjes.
Sipas njoftimit të Policisë së Tiranës, rreth orës 22:45 është raportuar një shpërthim brenda perimetrit të IEVP Fushë-Krujë. Fatmirësisht, nuk ka persona të lënduar apo dëme materiale të raportuara.
Forcat e rendit ndodhen aktualisht në vendngjarje dhe vazhdojnë punën për sqarimin e rrethanave të incidentit dhe identifikimin e llojit të lëndës plasëse.
Krujë/Informacion paraprak
Rreth orës 22:45, ka ardhur një telefonatë në sallën operative të DVP Tiranë, se është dëgjuar një shpërthim brenda perimetrit të IEVP Fushë-Krujë.
Nga shpërthimi nuk ka persona të lënduar dhe as dëme materiale.
Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për sqarimin e rrethanave të rastit dhe përcaktimin e llojit të shpërthimit.


