Voltan dhe Jugert Xhani, dy vëllezër nga Përmeti, janë arrestuar në Durrës si të dyshuarit kryesorë për organizimin dhe financimin e vrasjes së biznesmenit Bujar Nasufi, ngjarje e ndodhur më 12 janar 2025 pranë Pallatit me Shigjeta në Tiranë.
Sipas burimeve hetimore, në vendin ku u braktis motori i autorit të krimit u gjet një dorezë me gjurmë ADN-je, që tani po krahasohen me profilin e dy vëllezërve. Prokuroria ka urdhëruar edhe marrjen e kampionit të ADN-së nga nëna e tyre për të konfirmuar lidhjen familjare me gjurmën e gjetur.
Dyshohet se vrasja lidhet me një konflikt për pronë mes familjes Xhani dhe viktimës, që kishte degraduar në përplasje të vazhdueshme.
Voltan Xhani ishte shpallur më parë në kërkim për përfshirje në një tjetër vrasje në Shkodër, ku në servisin e tij ishte gjetur makina e përdorur në atentat.
Të arrestuarit u kapën në Durrës gjatë një operacioni policor, ku ndodheshin në shoqërinë e Xhevdet Plakut, i kërkuar ndërkombëtarisht dhe i arratisur nga burgu në Itali, si dhe Flobens Mecias, anëtar i një organizate kriminale.
Hetimet vazhdojnë, ndërsa Prokuroria pritet të kërkojë masë sigurie “arrest me burg” për të ndaluarit.

