Një skandal i rëndë është zbuluar në Itali, ku mjeku gastroenterolog dhe njëkohësisht kryebashkiaku i komunës Rivolta d’Adda në provincën e Kremonës, Giovanni Sgroi, është vendosur në arrest shtëpiak me urdhër të Gjykatës së Milanos, i dyshuar për dhunë seksuale të rënduar ndaj katër pacienteve.
Sipas autoriteteve hetimore, ngjarjet kanë ndodhur në një qendër mjekësore private në Pozzuolo Martesana, ku Sgroi ushtronte profesionin dhe mbante postin e drejtorit mjekësor. Hetimet nisën pas denoncimit të një pacienteje 24-vjeçare në maj 2024 dhe zbuluan më pas edhe tri viktima të tjera, të moshave 34, 36 dhe 43 vjeç.
Prokurorët Letizia Mannella dhe Alessia Menegazzo theksojnë se abuzimet dyshohet të jenë kryer gjatë kontrolleve me ultratinguj abdominalë, ku mjeku ka shfrytëzuar pozitën e tij për të kryer akte të papërshtatshme me natyrë seksuale, duke i maskuar si procedura mjekësore. Sipas hetimit, Sgroi përdorte një skemë të përsëritur, duke ndërthurur pyetje personale me ekzaminimet dhe duke kaluar në veprime të papranueshme ndaj pacienteve.
Një nga rastet përfshin edhe një deklaratë tronditëse të bërë nga Sgroi pas një episodi të dyshuar abuzimi, kur i ka thënë sekretares së klinikës: “Jepi të voglës një zbritje”, çka ka shtuar dyshimet mbi qëndrimin e tij ndaj viktimave.
Gjykatësja hetuese Sara Cipolla ka firmosur masën e arrestit shtëpiak, duke vlerësuar se ekziston rrezik real për manipulim të provave dhe për përsëritje të veprës penale nëse i dyshuari lihet i lirë. Autoritetet italiane kanë bërë thirrje publike për denoncim, duke mos përjashtuar mundësinë që të ketë edhe viktima të tjera, për shkak të numrit të madh të pacientëve që kanë kaluar nëpër duart e Sgroit gjatë karrierës së tij.
Kujtojmë se Sgroi ka qenë subjekt hetimi edhe në vitin 2010 nga Prokuroria e Bergamos, por ajo çështje u mbyll pa pasoja penale.


