Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, i bëri thirrje Serbisë të bëjë një zgjedhje të qartë strategjike për të ardhmen e saj mes Perëndimit dhe Lindjes, gjatë një vizite zyrtare në Beograd. Kjo deklaratë vjen pak javë pasi presidenti serb Aleksandar Vuçiç mori pjesë në paradën ushtarake të 9 Majit në Moskë, në krah të presidentit rus Vladimir Putin, duke sfiduar paralajmërimet e BE-së.
“Serbia është përballë një zgjedhjeje strategjike dhe gjeopolitike për të përcaktuar se në cilin kah dëshiron të orientohet”, tha Kallas, duke theksuar se e ardhmja evropiane e vendit varet nga vlerat që ai zgjedh të mbështesë.
Prania e Vuçiçit në Rusi është kritikuar gjerësisht nga zyrtarët evropianë, të cilët e konsiderojnë të papranueshme afërsinë e tij me Putinin në një kohë kur Rusia është nën sanksione për shkak të pushtimit të Ukrainës. “Nuk e kuptoj pse duhet të qëndrohet krah për krah me ata që po zhvillojnë një luftë të tmerrshme në Ukrainë”, deklaroi Kallas.
Vuçiç nga ana e tij ka pohuar se pjesëmarrja në paradë ishte një gjest për të ruajtur lidhjet tradicionale me Rusinë, një shtet sllav dhe ortodoks, por kjo qasje e tij vazhdon të shkaktojë tension me Brukselin. Serbia mbetet ende e varur nga Rusia për furnizimet me energji dhe nuk i është bashkuar sanksioneve perëndimore, ndërkohë që ka refuzuar të mbështesë deklaratat e BE-së që dënojnë agresionin rus.
Kritikat ndaj Vuçiçit janë shtuar edhe në vend, ku protestat kundër korrupsionit dhe autoritarizmit të qeverisë kanë marrë përmasa të gjera, sidomos pas një tragjedie që tronditi opinionin publik. Në këtë kontekst, presioni mbi Serbinë për të përcaktuar qartë orientimin e saj strategjik po bëhet gjithnjë e më i madh.


