Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur konfiskimin e një sërë pasurish në emër të Indrit Vezit, pas kërkesës së paraqitur nga SPAK në kuadër të procedimit pasuror nr. 4/2022.
Sipas vendimit të shpallur më 21 maj 2025, trupa gjykuese me kryesuese gjyqtaren Flojera Davidhi vendosi kalimin në favor të shtetit të pasurive të mëposhtme:
Një autobus Volvo i zi, i prodhuar në vitin 1998.
Një Mercedes Benz S300, po i vitit 1998.
Një trailer (gjysmë rimorkio) KRONE SD K, me vlerë blerjeje 11,000 euro, në pronësi të shoqërisë “DYLAVER VEZI” sh.p.k.
Kuotat si ortak në shoqërinë “TRANS KOMOD” sh.p.k.
Firma si person fizik “DYLAVER VEZI”, së bashku me asetet që disponon në zonën e Shkozetit, Durrës.
Ndërkohë, Gjykata ka revokuar sekuestron për disa pasuri të paluajtshme në pronësi të të afërmve të Vezit, si dhe një automjet tjetër tip Daimler Benz, që rezulton të jetë në emër të një tjetër shtetasi.
Gjykata urdhëroi gjithashtu që shpenzimet proceduriale të mbulohen nga Indrit Vezi dhe vendosi ekzekutim të menjëhershëm të masës së konfiskimit. Palët kanë të drejtë ankimi në Gjykatën e Posaçme të Apelit brenda 15 ditësh nga njoftimi i vendimit të arsyetuar.


