Presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, ka akuzuar publikisht mafian shqiptare për përfshirje në një plan për destabilizimin e zgjedhjeve rajonale dhe parlamentare që pritet të mbahen këtë të diel. Në një deklaratë të transmetuar nga televizioni shtetëror VTV, Maduro tha se janë arrestuar 38 persona, mes tyre mercenarë të lidhur me mafian shqiptare që, sipas tij, vepron në Ekuador.
“Mafia shqiptare, që sundon Ekuadorin, ka dërguar mercenarë të trajnuar për të vendosur bomba në Venezuelë. I kemi arrestuar dhe ata po flasin”, deklaroi Maduro, duke shtuar se janë sekuestruar tre telefona celularë që po hetohen.
Presidenti venezuelian përmendi gjithashtu vizitën në Ekuador të ish-oficerit amerikan Erik Prince, themeluesit të kompanisë së sigurisë Blackwater (tani Academi), duke e lidhur atë me përpjekje për ndërhyrje të huaja në rajon. “Nëse Erik Prince është atje, atëherë është dhe perandoria amerikane”, tha ai.
Ministri i Brendshëm i Venezuelës, Diosdado Cabello, konfirmoi gjithashtu ekzistencën e një plani për sulme ndaj ambasadave, qendrave shëndetësore dhe infrastrukturës kritike. Ai deklaroi se 17 nga të ndaluarit janë shtetas të huaj dhe se një prej tyre është një kolumbian me origjinë shqiptare, i dyshuar për trafik ndërkombëtar droge. Sipas tij, pagesa për qëndrimin e këtij personi në një hotel në Karakas është bërë nga Shtetet e Bashkuara.
Zyrtarët venezuelianë kanë akuzuar edhe opozitën e brendshme për përfshirje në këtë plan. Sipas tyre, politikania María Corina Machado dhe ish-komisioneri i policisë Iván Simonovis janë pjesë e strukturës që qëndron pas komplotit.


