Një investigim i emisionit Fiks Fare zbuloi një rrjet prostitucioni online që fshihej pas një njoftimi të zakonshëm për punësim në internet, ku premtoheshin 90 euro në ditë për punë nga shtëpia.
Bashkëpunëtorët e emisionit kontaktuan personin përgjegjës për njoftimin dhe zbuluan se bëhej fjalë për “punë” si punonjëse seksi online, ku kërkohej të flisnin dhe t’u dërgonin klientëve të huaj foto e video intime, madje edhe ekspozim live në kamera. Pagesa ishte 250 euro nata për turnin e tretë, nga ora 23:00 deri në 03:00 të mëngjesit.

Pagesat bëheshin përmes llogarive bankare dhe agjencive transferimi parash, ndërsa klientët kërkonin vazhdimisht materiale intime. Investigimi konfirmoi se kjo formë prostitucioni online është e paligjshme dhe paralajmëron qytetarët të jenë vigjilentë ndaj këtyre mashtrimeve që shfrytëzojnë veçanërisht vajzat në kërkim të punës.

Sot, për të ushtruar prostitucion online mjafton një telefon dhe një llogari bankare, duke krijuar një rrezik të madh për viktimat.


