Një shtetas shqiptar është arrestuar në pikën kufitare Božaj, mes Malit të Zi dhe Shqipërisë, pasi tentoi të fuste në territorin shqiptar një shumë marramendëse prej 940 mijë eurosh, të fshehura në një automjet mallrash.
Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë Speciale të Malit të Zi, i dyshuari – identifikuar me inicialet T. M. – akuzohet për pastrim parash dhe dyshohet se shuma është e gjeneruar nga aktiviteti i trafikut të drogës.
“Shtetasi shqiptar T. M. dyshohet se ka transportuar 940,000 euro të fshehura në një automjet, duke kaluar nga Austria në Slloveni, më pas në Kroaci dhe Mal të Zi, me qëllim dorëzimin e tyre te një person i panjohur në Shqipëri,” – thuhet në deklaratë.
Shuma u zbulua gjatë një kontrolli të imtësishëm në pikën kufitare, dhe u sekuestrua menjëherë nga autoritetet. Operacioni u realizua nga Administrata Doganore dhe Departamenti Special i Policisë, nën urdhrin e Prokurorisë Speciale.
Prokuroria ka kërkuar zgjatjen e paraburgimit për të dyshuarin, si dhe konfiskimin e të gjithë shumës së parave dhe automjetit të përdorur për transportin ilegal.
Hetimet vijojnë për të zbuluar rrjetin e mundshëm kriminal dhe lidhjet e të dyshuarit me persona të tjerë brenda ose jashtë Shqipërisë.


