Një incident i rëndë ndodhi ditën e sotme gjatë procesit të numërimit të votave në KZAZ-në nr. 30 në shkollën 9-vjeçare “Katund i Ri” në Kashar.
Në këtë sherr u përfshi sekretari KZAZ-së, Remzi Mehmeti, i cili u godit fizikisht nga një person i pranishëm në ambientet e qendrës.
Sipas burimeve mësohet se konflikti nisi për shkak të një flete votimi ku ishte votuar për Partinë Socialiste dhe për dy kandidatë të saj, njëri prej të cilëve ishte Ornaldo Rakipi.
Pas përplasjes, Mehmeti u dërgua në Komisariatin nr. 6 në Tiranë, ku ka bërë një kallëzim penal ndaj personit që e sulmoi.
Ndërsa procesi i numërimit është ndërprerë përkohësisht, ndërsa forca të policisë janë të pranishme në vendngjarje.
Autoritetet bëjnë me dije se për pak do të njoftojnë për rifillimin e procesit, ndërsa raportohet se autori i përplasjes, Rei Nozlli, u shoqërua për në polici.
Burime nga KZAZ bëjnë me dije se një pjesë e mirë e qytetarëve që ndodheshin brenda ambienteve të qendrës nuk ishin të pajisur me akreditim zyrtar, duke ngritur dyshime mbi statusin ligjor të disa përfaqësuesve të kandidatëve.


